11.12.2009, - E Premte
Ekspertë të arsimit nga vendi e bota diskutuan për arsimin parauniversitar

"Prej kur Qeveria e vendosi në nivel të lartë të prioritetit të saj, mund të themi se arsimi i Kosovës në përgjithësi, u kthye për së mbari dhe rezultatet janë të dukshme", tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi në Konferencën Ndërkombëtare të Arsimit Parauniversitar, ndërsa ministri Enver Hoxhaj theksoi se Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit, synojnë që ta ndërtojnë një sistem efektiv arsimor, i cili mbi të gjitha i kontribuon rritjes ekonomike dhe i cili ofron mundësi më të mira për të gjithë qytetarët e vendit.

Konferenca Ndërkombëtare e Arsimit Parauniversitar ka mbledhur në Prishtinë ekspertë të shumtë të arsimit nga Kosova dhe vende të ndryshme të botës, të cilët për tri ditë (9, 10 dhe 11 dhjetor), kanë diskutuar për këtë nivel të arsimit. Me këtë rast, është paraqitur gjendja e arsimit në Kosovë, vështirësitë dhe sfidat, por edhe janë paraqitur plane të shumta për të arritur arsim sa më cilësor. Ndërsa, janë paraqitur edhe përvoja të vendeve të ndryshme ndërkombëtare duke filluar nga edukimi parashkollor, arsimi fillor, ai i mesëm i ulët dhe arsimi i mesëm i lartë.
Në emër të Këshillit Organizativ të Konferencës, pjesëmarrësit i ka përshëndetur Nezir Çoçaj, i cili tha se Konferenca për Arsimin Parauniversitar pasqyron kontribut të jashtëzakonshëm për Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe arsimin e Kosovës.
"Qëllimi i kësaj konference është që të vë në pah përvoja të mira që janë bërë në përgatitjen e nxënësve me njohuri, shkathtësi dhe vlera. Kjo mund të arrihet përmes arsimimit cilësor nga edukimi parashkollor, arsimi fillor, i mesëm i ulët dhe ai i mesëm i lartë", theksoi ai.
Punimet e konferencës i ka përshëndetur edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Ai tha se në Kosovë popullsia përbëhet më shumë nga të rinjtë, prandaj çështja e arsimit kërkon prioritet të lartë shtetëror dhe shoqëror. "Arsimi në Kosovë në të kaluarën kurrë nuk ka pasur trajtim meritor, për pasojë institucionet tona të paraluftës janë përballur me probleme të shumta dhe serioze në arsim", u shpreh ai.
Duke pasur parasysh numrin e madh të nxënësve dhe mungesën e ndjeshme të infrastrukturës e kapaciteteve profesionale, sipas kryeparlamentarit Krasniqi, normalizimi i gjendjes së arsimit në Kosovë kërkon para së gjithash mjete kolosale financiare, të cilat buxheti i ri nuk arrin t'i përballojë.
"Prej kur Qeveria e vendosi në nivel të lartë të prioritetit të saj, mund të themi se arsimi i Kosovës në përgjithësi, u kthye për së mbari dhe rezultatet janë të dukshme. Në të ardhmen, sigurisht se këto rezultate do të jenë më të mira", tha kryeparlamentari Krasniqi, i cili theksoi se Kuvendi i Kosovës ka miratuar legjislacionin modern për arsimin, kurse vitin e kaluar adoptoi deklaratën e mileniumit, e cila në objektivat e saj zhvillimore, rëndësi të veçantë i jep arsimit.

krueparlamentari Jakup Krasniqi


Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, theksoi se cilësia dhe fuqia e një vendi varet nga cilësia e njerëzve të saj. "Në kohën në të cilën ne jetojmë, fuqia ekonomike e një vendi nuk varet as nga madhësia e tij, as nga numri i banorëve, as nga parakushtet tjera, por varet nga kapitali njerëzor, apo nga njerëzit e tij. Prandaj, edhe Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit synon që ta ndërtojë një sistem efektiv arsimor, i cili mbi të gjitha i kontribuon rritjes ekonomike dhe i cili ofron mundësi më të mira për të gjithë qytetarët e vendit".
Për Qeverinë e Kosovës, tha ministri, investimet në fushën e arsimit në të tri nivelet: fillor, të mesëm dhe në nivelin e lartë, mbeten ndër prioritetet kryesore.
"Kosova, përveç përparësive dhe veçorive tjera, shquhet edhe me atë që ka popullin më të ri në Evropë, prandaj edhe investimet në fushën e arsimit janë investime jo vetëm në gjeneratën e re, por janë investime në forcën motorike që do të zhvillojë dhe ndërtojë Kosovën", tha ministri Hoxhaj. Ai tha se për një vend të vogël si Kosova, duhet që ajo çka iu ofrohet qytetarëve tanë, të jetë e njëjtë, si në fshat, ashtu edhe në qytet.
Ministri Hoxhaj përmendi shumë të arritura në arsimin kosovar gjatë dy viteve të fundit si: hartimi i kurrikulumit të ri, sigurimi i teksteve shkollore falas, ngritja e pagave të mësimdhënësve, fillimi i procesit të licencimit të mësimdhënësve e shumë të arritura të tjera.
"Gjatë këtij viti ne kemi formuar edhe Këshillin shtetëror për kurrikulat e Kosovës, Këshillin për licencimin e mësimdhënësve të Kosovës, Komitetin e prindërve, që mendojmë se duhet të jenë pronar më të fuqishëm të proceseve mësimore", tha ai.
Ministri Hoxhaj shprehu shqetësimin rreth braktisjes së shkollës nga nxënësit. Ai tha se gjatë këtyre dy viteve MASHT i ka ulur shifrat e këtij fenomeni, por theksoi se "edhe më tutje braktisja e shkollës vazhdon të mbetet një shqetësim, edhe më tutje nxënësit me nevoja të veçanta, që është fokus i joni si ministri, nuk e kanë mbështetjen e duhur për shkak të mundësive të limituara buxhetore".
Ministri i Arsimit përmendi edhe hartimin e Strategjisë për sigurinë në shkolla, sepse siç u shpreh ai, jemi të interesuar që përveç se të kemi shkolla të shëndetshme, cilësore, duam të kemi dhe shkolla të sigurta.
Ndërsa, ministri Hoxhaj, ndër të tjera theksoi edhe zgjerimin e hapësirës shkollore me ndërtimin e shumë shkollave të reja në të gjithë vendin. Ai, po ashtu, theksoi se mbetet prioritet i dorës së parë, si ta lidhim arsimin fillor dhe të mesëm me nevojat e tregut të punës.

konferenca AP


Dita e parë e Konferencës

Prezantimet e ditës së parë të Konferencës janë fokusuar kryesisht në zhvillimin dhe perspektivat e arsimit parauniversitar dhe në kurrikulat e reja, në të cilat po punohet.
Sistemi i arsimit parauniversitar, zhvillimet dhe perspektivat e përmirësimit të cilësisë në arsimin parauniversitar në Kosovë, ka qenë njëra nga temat e diskutuara në ditën e parë të Konferencës, për të cilën kanë prezantuar Alush Istogu, drejtor i Departamentit të Arsimit parauniversitar në MASHT dhe Agim Bërdyna, drejtor i Departamentit të zhvillimit të Arsimit Parauniversitar.
Ndërsa, rreth zhvillimit të Kurrikulumit kombëtar dhe rishikimit në funksion të përmirësimit të cilësisë në arsim, ka folur Sabri Tahiri, Kryetar i Këshillit Shtetëror të Kurrikulumit të Kosovës.
Integrimi euro-atlantik në kurrikulën e arsimit parauniversitar, ka qenë po ashtu një prezantim gjatë Konferencës nga Ndriçim Mehmeti.
Interesim te pjesëmarrësit e shumtë ka zgjuar edhe prezantimi i David Rovlle, i cili ka folur për përvojat ndërkombëtare për zhvillimet dhe ndryshimet e kurrikulave dhe teksteve shkollore.
Për standardet e vlerësimit të teksteve shkollore, ka folur Hajrije Devetaku, ndërsa rreth licencimit të mësimdhënësve dhe akreditimit të programeve, çështje të cilat japin mundësi të reja, ka folur Nehat Mustafa.
Përcaktimi i standardeve kombëtare në arsim dhe standardeve të arritshmërisë, është ligjëruar nga Mustafë Kadriu, ndërsa një prezantim që po ashtu ka provokuar debat ka qenë prezantimi i Dukagjin Pupovcit, i cili ka folur rreth vlerësimit si instrument për matjen e performancës dhe të rezultateve të sistemit arsimor, si parametra dhe mundësi për avancimin e arsimit.
Profesori nga Shqipëria, Fatmir Bezati, ndërkaq, është ndalur te studimi krahasues i faktorëve që ndikojnë në kënaqësinë e profesionit të mësuesve të vendeve të tjera me ato të mësuesve të arsimit parauniversitar në Shqipëri.

 gjate prezantimit David Royle

Dita e dytë e Konferencës

Prezantime të rëndësishme janë paraqitur edhe në ditën e dytë të Konferencës Ndërkombëtare të Arsimit Parauniversitar, e cila ka ka filluar me prezantimin e Lulavere Behlulit, me temën "Gjithpërfshirja në arsim dhe mundësitë e mësimit për të gjithë". Në këtë prezantim me theks të veçantë, është prezantuar gjendja e Kosovës në arsimin gjithëpërfshirës për fëmijët me nevoja të veçanta.
Merita Jonuzi, ndërkaq, në prezantimin e saj "Të drejtat dhe liritë e fëmijëve", ka thënë se në Kosovë veprohet sipas parimeve kryesore të Konventës Ndërkombëtarë për të Drejtat e Fëmijëve. Ndërsa, ka theksuar se është shqetësues fakti se në vendin tonë vazhdon braktisja e shkollimit.
Labërie Luzha ka prezantuar temën "Gjendja aktuale e në edukimin parashkollor në Kosovë", ku ka shprehur shqetësim lidhur me përfshirjen e ulët të fëmijëve në edukimin parashkollor, si dhe mungesën e kuadrit adekuat sa i përket arsimit parashkollor që përfshin moshën zero deri në tre vjeç.
James Robert Adrian Ëilliams, përfaqësues nga organizata Save The Children - Britani e Madhe, ka sjellë në këtë Konferencë përvoja interesante të gjithëpërfshirjes në vendet evropiane.
Rreth të arriturave dhe vështirësive në përfshirjen e komuniteteve në arsim ka folur Enesa Kadiq, ndërsa Adrian Marsh, një përfaqësues tjetër i organizatës Save dhe Children nga Suedia, duke folur rreth arsimit të komunitetit Rom, Ashkali, Egjiptian (RAE), ka theksuar vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar ky komunitet dhe mundësitë për të ndihmuar në arsimimin e tyre.
Bajram Beqiri, kryetar i Komitetit të Prindërve të Kosovës, ka paraqitur disa të arritura dhe plane rreth përfshirjes së prindërve dhe komunitetit në sistemin shkollor.
Për shkolla të shëndetshme, ka prezantuar Leonora Shala, e cila ka folur për dokumentin e rëndësishëm të publikuar kohë më parë "Strategjia e për shkollat promovuese të shëndetit (2009-2018)".
Ndërsa, Nuhi Gashi ka trajtuar çështjen e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë.
Emil Buzov dhe Alija Tuna nga ISSA kanë folur për rëndësinë e politikave në edukimin e hershëm, respektivisht investimin ne fëmijërinë e hershme.


Dita e tretë e Konferencës

Arsimi dhe aftësimi profesional i nxënësve dhe përgatitja për tregun e punës, ka qenë tema për të cilën ka folur Valbona Mjeku, në ditën e tretë të Konferencës Ndërkombëtare për Arsimin Parauniversitar.
Ndërsa, Berta Hamza është fokusuar në përvojat ndërkombëtare të arsimit profesional, derisa për arsimin joformal dhe të mësuarit gjatë tërë jetës, ka ligjëruar Radica Berisha.
Në ditën e tretë dhe të fundit të kësaj Konference, janë dhënë rekomandimet dhe sugjerimet e katër grupeve punuese, të cilat kanë bërë nga një prezantim të veqantë në fund të konferencës, në lidhje me ndryshimin, apo rregullimin e punës në këtë nivel të arsimit në Kosovë.
Për grupin e parë punues, i cili ka pasur temen "Zhvillimi i kurrikulit kombëtar dhe rishikimi në funksion të përmirësimit të cilësisë në arsim", ka prezantuar punën Shqipe Gashi. Ajo tha se ky grup është fokusuar në propozimet lidhur me Kornizën e Kurrikulit, e cila sipas grupit, duhet të jetë në harmoni me Ligjin mbi arsimin parauniversitar.

Ndërsa, sa i përket integrimit të lëndëve mësimore në kuadër të shkollës së mesme të ulët, grupi ka theksuar frikën për mungesëne kaudrit në këtë nivel, pasi që në Fakultetin e Edukimit ofrohen vetëm përgatitje për dy drejtime të mësimit.
Grupi i dytë punues, ka pasur si temë "Vlerësimin si instrument i performancës dhe rezultateve të sistemit arsimor si parametra dhe mundësi për përparimin e arsimit". Duke prezantuar punën e këtij grupi, Mustafë Kadriu, ka theksuar rëndësinë e procesit të vlerësimit. Ky grup, ndër të tjera, ka rekomanduar që të bëhet harmonizimi i rregulloreve dhe ligjeve dhe zbatimi i tyre.
Ndërsa, grupi i tretë, ka punuar në temën „Gjithëpërfshirja në arsim dhe mundësitë e mësimit për të gjithë", grup i cili po ashtu ka dhënë rekomandimet e veta në drejtim të përmirësimit të situatës, sidomos për fëmijët me nevoja të veçanta.
Grupi i katërt ka pasur për temë të punës „Arsimin dhe aftësimin profesional të nxënësve dhe përgatitjen për tregun e punës si dhe arsimin për të rritur".

konferenca nderkombetare e AP

Mbyllja e Konferencës

Konferenca Ndërkombëtare për Arsimin Parauniversitar ka zgjuar interesimin e shumë ekspertëve të fushëve të ndryshme. Gjatë tri ditëve sa ka zgjatur kjo konferencë, pjesëmarrja e të interesuarve ka qenë shumë e madhe.
Në fund, pjesëmarrësit i ka falenderuar sekretari përmanent i MASHT-it, Adem Sallauka, i cili e ka përmbyllur konferencën në emër të ministrit të Arsimit, Enver Hoxhaj. Ai ka thënë se prezantimet që janë bërë kanë qenë edhe shtigje të reja, por edhe shpjegim se si do të zhvillohet arsimi parauniversitar në Kosovë
Pasi që ka falenderuar të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre të dhënë në Konferencë, ai është zotuar në emër të Ministrisë që do të punohet intenzivisht për të arritur objektivat për zhvillimin dhe ngritjen e vazhdueshme të cilësisë së arsimit në Kosovë.
Ndërsa, në emër të Këshillit Organizativ, ka folur Nehat Mustafa, i cili ka vlerësuar se punimet e konferencës kanë qenë të suksesshme. Ai ka falënderuar stafin punues në konferencë dhe ka theksuar se objektivat e konferencës janë përmbushur, madje edhe më tepër se që është pritur. "Gjatë kësaj konference vlerësojmë se janë përmbushur të gjitha objektivat që kemi pasur. Përmes Konferencës është sensibilizuar opinioni kosovar dhe ndërkombëtar si dhe janë njoftuar qytetarët se ku është arsimi në Kosovë dhe nga do të shkojë në të ardhmen", ka thënë Mustafa, i cili po ashtu ka përshëndetur edhe të gjithë ata që në një mënyrë kanë dhënë kontributin e tyre në realizimin e Konferëncës, duke përfshirë këtu edhe mediat.

MASHT-i shumë shpejt do të krijojë një link të veçantë në web faqen zyrtare, ku do të publikohen të gjitha prezantimet që janë bërë gjatë tri ditëve të Konferencës Ndërkombëtare për Arsimin Parauniversitar.

 

  <<< Kthehu prapa   |   Shtyp këtë artikull   |   Dërgo me email   |   A   A   A

Share Share

 

19.12.2014, - E Premte
Urimi i ministrit Bajrami për përfundimin e gjysmëvjetorit të parë

Me rastin e përfundimit të gjysmëvjetorit të parë të vitit shkollor 2014/2015, ministri i Arsimit, Shkencës dhe...

  më shumë>>>

19.12.2014, - E Premte
Ministri Bajrami vizitoi Universitetin Publik “Haxhi Zeka” në Pejë

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë z. Arsim Bajrami, ka vizituar sot Universitetin Publik "Haxhi Zeka" në Pejë, ku...

  më shumë>>>

17.12.2014, - E Mërkurë
Ministri Bajrami priti ambasadorin e Shqipërisë në Prishtinë

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami priti në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë,...

  më shumë>>>

18.12.2014, - E Enjte
Ministri Bajrami priti ministrin e Diasporës, z. Valon Murati

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka pritur sot në takim Ministrin e Diasporës, z. Valon Murati....

  më shumë>>>

 

KOMENTET DHE SUGJERIMET TUAJA

Klikoni këtu për komentet/sugjerimet tuaja >>>